0_MIA Investigon.PortalE përzgjedhur

Pse 2018 nuk ishte vit i kthesës në zgjerimin e BE-së

Ndonëse viti 2018 ishte paralajmëruar në mënyrë pompoze si vit i kthesës së madhe, ai nuk u tregua si kyç për zgjerimin, e aq më pak një gjë e tillë do të mund të pritet në vitin 2019, duke marrë parasysh se do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Jutarnji list – Zagreb

12 dhjetor 2018

Ndonëse viti 2018 ishte paralajmëruar në mënyrë pompoze si vit i kthesës së madhe, ai nuk u tregua si kyç për zgjerimin, e aq më pak një gjë e tillë do të mund të pritet në vitin 2019, duke marrë parasysh se do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Ka gjasa madje edhe për zhvendosjen e afatit kohor për publikimin e raporteve për përparimin nga prilli në qershor, me qëllim që para zgjedhjeve evropiane të mos ndodhë asgjë lidhur me zgjerimin, duke marrë parasysh se është evidente se kjo temë nuk është e popullarizuar në Union.

Duhej të kishte përparim te ato vende që tashmë i filluan bisedimet, si Mali i Zi dhe Serbia, fillim i bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndërsa shtetet që edhe më parë e kishin statusin e kandidatëve, por jo edhe mundësinë për fillimin e bisedimeve, si BeH-ja, duhej të shënonin përparim. Kosova duhej të merrte liberalizim të vizave dhe ndoshta madje edhe të aplikojë për anëtarësim.

Përparimi i pritur në vitin 2018 duhej të  shoqërohej edhe me premtime të fuqishme nga BE-ja përmes strategjisë së posaçme për zgjerim, me afate të qarta për secilin shtet ndaras.

Por, BE-ja nuk përmbushi asgjë nga gjithë kjo. Ideja e Komisionit Evropian për përcaktimin e strategjisë dhe afateve për zgjerim të BE-së – dështoi. Ajo ndoshta mbeti në kokat dhe mendimet, por afatet ishin fshirë nga teksti.

Në fund është përmendur “strategjia historike”, e miratuar si një dokument në përgjithësi i parëndësishëm.

Bullgaria, e cila kryesonte Bashkimin në gjysmën e parë të vitit, paralajmëroi “samit historik” në Sofje, në të cilin do të ishte vërtetuar përkushtimi i Bashkimit për përshpejtimin e zgjerimit, por përgatitjet e këtij samiti u shndërruan në betejë burokratike-politike për atë se si të sigurohet pjesëmarrje në tubimin e të gjitha vendeve të rajonit.

Porosi më të qartë dërgoi Presidenti i Francës, Emanuel Makron, i cili tha se nuk do të ketë përshpejtim të zgjerimit, nuk do të ketë data, dhe se BE-ja në të kaluarën ka gabuar që është marrë shumë më tepër me zgjerimin, ndërsa shumë më pak me reformat e brendshme të Bashkimit.

Megjithatë, nuk ishte vetëm Bashkimi Evropian ai që i tradhtoi premtimet, por edhe rajoni nuk shënoi përparim pothuajse në asgjë.

Në Serbi reforma në jurisprudencë rrjedh ngadalë, gjendja me lirinë e mediave është e keqe, glorifikohen krimet e luftës, ndërsa marrëdhëniet me Kosovën nuk kanë qenë asnjëherë më të këqija, ndonëse normalizimi është kusht për përparim në rrugën drejt BE-së.

Mali i Zi, i cili është në pozitën më të mirë, nuk ka rezultate kushedi sa të mira në reformat në jurisprudencë. Siç do të thuhej në shaka – fakti që Mali i Zi është më i shpejtë, flet mjaft për atë se sa është i ngadalshëm procesi i zgjerimit.

Shqipëria arriti t’i plotësojë kushtet e domosdoshme që Komisioni të propozojë fillimin e bisedimeve, por shtetet anëtare e prolonguan për verën e ardhshme marrjen e vendimit lidhur me këtë.

Maqedonia, e cila ia doli të arrijë marrëveshje me Greqinë për zgjidhjen përfundimtare të kontestit me emrin, nuk mori datë të qartë për fillimin e bisedimeve, por vetëm afat të kushtëzuar kornizë, si edhe Shqipëria.

Ndërkohë, ndodhi krizë politike në Maqedoni, kur ish-kryeministri i dënuar Nikolla Gruevski, duke ikur nga drejtësia gjeti strehim, as më pak e as më shumë, por në BE.

BeH-ja me zgjedhjet tregoi se në këtë shtet nuk ka ndryshuar asgjë në të mirë.

Nëse ky vit do të kalonte ashtu siç ishte paramenduar, synimi që disa shtete, si Mali i Zi dhe Serbia, të hyjnë në BE në vitin 2025, do të ishte i realizueshëm.

Tani edhe viti 2025, sado që të duket i largët, është evidente se është i paarritshëm për zgjerimin.

Prandaj, në mënyrë ironike mund të parashtrojmë pyetjen: si do të ishte vallë ky vit nëse nuk do të ishte kyç për zgjerimin e BE-së?! em/mp/

 

Таг
Back to top button
Close
Close