0_Maqedoni.PortalReportazh

Bellovishta dikur ka pasur radiostacione dhe disko, ndërsa sot mezi numëron 250 banorë

Ajër i freskët. Aromë malore. Lagështi. Qetësi, pastërti, me ndonjë qese të zbrazët

Shkup, 30 tetor 2018 (MIA) –  Ajër i freskët. Aromë malore. Lagështi. Qetësi, pastërti, me ndonjë qese të zbrazët “smoki” ose shishe plastike të hedhur në lum. Shesh i zbrazët. Nëpër rrugët shëtitet nga ndonjë qen. Mezi, tejet në mënyrë të rastësishme, ju takon edhe ndonjë njeri.

I këtillë është imazhi për fshatin Bellovishtë të Tetovës, posaçërisht nëse e vizitoni në këtë periudhë të vitit.

Është i vendosur nën Malin Sharr, në rreth 680 metra lartësi mbidetare, menjëherë para Vratnicës, pas Tearcës dhe Dobroshtit.

Me numër të përgjysmuar të banorëve, shumica të shpërngulur, fshati sot numëron rreth 170 shtëpi. Të gjithë janë maqedonas. Të rinj mund të shihen shumë rrallë. Eventualisht në tre restorantet që ndodhen në pjesën e epërme të Bellovishtës. Në fakt, ka katër objekte hotelierike, por njëri prej tyre tanimë nuk punon pasi ka ndërruar jetë pronari.

Në Bellovishtë ka tre kisha. Shkollë fillore nuk ka. Fëmijët shkojnë në shkollë në Vratnicë, së bashku me fëmijët nga Rogaçeva, Staro Sello dhe Odri. Bujqësia është dobët e zhvilluar. Njerëzit ose punojnë privatisht ose nëpër fabrikat e rrethinës (ata që kanë mbetur). Nga ajo jetojnë.

“Midis të parëve këtu kemi pasur shkollë fillore. Ishte hapur në vitin 1835, por për shkak të shpërnguljes është mbyllur në vitet e pesëdhjeta”, rrëfen Mirosllav Bogoevski, banor i Bellovishtës.

Në Bellovishtë në vitin 1969 ka pasur disko, ndërsa nga viti 1968 ka funksionuar edhe radiostacioni lokal. Radiostacioni ka punuar deri në vitet e tetëdhjeta, ndërsa diskoja deri në vitin 1990.

Gjysma e fshatit jashtë vendit

Nuk ka familje e cila nuk e ka dërguar ndonjërin prej anëtarëve të vet jashtë vendit, kryesisht në Kanada dhe SHBA, në Toronto, Uindzor apo Detroit.

“Gjyshi im që para 101 vitesh ka qenë në Detroit në mërgim. Në atë kohë, kur është kthyer, fshati i ka numëruar rreth 800 banorë, ndërsa sot i ka vetëm 250. I ka pasur 13 mullinj dhe dy sharra”, thekson Bogoevski.

Tani, shton, se prej kësaj nuk ka asgjë. Të gjitha zanatet janë ngrirë, ndërsa njerëzit, veçanërisht të rinjtë, zhvendosen masivisht.

“Nuk ka punë, ndërsa me 200 euro në muaj nuk jetohet. Funksionojnë vetëm restorantet edhe atë gjatë verës. Atëherë madje duhet të rezervoni që të gjeni vend të lirë. Ka fluks të madh njerëzish, veçanërisht për fundjavë, kur vijnë mysafirë prej kudo, por 95 për qind janë nga Shkupi. Sivjet për Një majin Bellovishten për një ditë e kanë vizituar 4.000 persona. Ky numër çdo ditë rritet. Sezoni në vjeshtë përnjëherë pushon”, thotë 28-vjeçari Bojan Mlladenoviq.

Dy ujëvarat atraksion për vizitorët

Veçanërisht atraktive për vizitorët e Bellovishtës janë dy ujëvarat. Njëri, më i vogli ndodhet menjëherë mbi fshat ndërsa tjetrit është për 1,5 orë drejt Malit Sharr.

“Atë që vizitorët zakonisht e vizitojnë është ujëvara e madhe. Shtegu drejt saj është i shënuar, por rrallë dikush shkon vetëm Zakonisht lëvizja është në grup, me shoqatë bjeshkatarësh ose me ndonjë banor të fshatit”, thekson Bogoevski.

Tradita po humbet ngadalë

Në Bellovishtë festohen shumë festa fetare siç janë Shën Nikolla, Uji i Bekuar, Shën Vasili etj. Fshatarët e  festojnë edhe ditën e Shën Lllazarit – një javë para Pashkëve. Vajzat deri në moshën 15-vjeçare përgatiten  gjithë javën për festën, mësojnë këngë kushtuar kësaj feste. Në ditën e festës shkojnë shtëpi më shtëpi. Çdo anëtar i familjes, siç sqaron Bogoevski, ka nga një strofë. Ka strofë të veçantë për fëmijët,  për beqarët, për vajzat e pamartuara dhe për të zotin e shtëpisë.

“Për ditën e Buzmit vetëm djemtë  e fshatit, deri në moshën 15-vjeçare shkojnë të maskuar nëpër shtëpitë dhe mbledhin para, fasule, raki, mish të thatë, verë …… Çfarë do t’i japin nëpër shtëpitë ku shkojnë. Për Shën Vasilin organizohen karnavale në të cilin marrin pjesë ata që dëshirojnë. Maskat kryesore janë nusja dhe dhëndri (që të dy janë djem, vetëm të maskuar), thotë Bogoevski, duke treguar edhe për festat e tjera të cilat festohen në fshat.

Bellovishta më parë e ka festuar edhe Ditën e Atanasit, e cila është festuar në mes të fshatit. Por sot nuk është kështu. Nëse dikush feston, atë e bën në shtëpi.

Duke pasur parasysh mërgimin nga fshati, mënyrën e jetesës dhe ngjarjet aktuale në Maqedoni edhe Bogoevski edhe Malladenoviq konsiderojnë se për dhjetë vite fshati do të jetë i zbrazët.

Mirjana Çakarova

Провери го и ова

Close
Back to top button
Close
Close